“Dikë me biçikleta nga Shkodra, dikë tjetër me vetura nga rrethina, ndërsa dikë me avion nga Gjermania, i mblodhi në Krajë qëllimi i përbashkët kulturor dhe natyror për të kremtuar aktivitetin “Ditët e Brezit të Gjelbër Evropian”. Të mbledhur nën moton “Lidhja e natyrës, kulturës dhe komunitetit”, aktiviteti u mbajt në fshatin Muriq dhe në lokalitetin e ublave të Bolajve në Ostros. Të veçantë këtë aktivitet e bën edhe prania e nxënësve nga shkolla e mesme e Ulqinit, të cilët kontribuuan që organizimi të plotësojë edhe kushtin edukativ-informues. Mikpritës të këtij manifestimi ishin Shoqata Muriqi dhe Shoqata Besi, të dyja shoqata vendore.Siç e tregon vizioni i Iniciativës së Brezit të Gjelbër Evropian (europeangreenbelt.org), është që “trashëgimia jonë e përbashkët natyrore përgjatë vijës së ish-Perdes së Hekurt duhet të konservohet dhe restaurohet, për të funksionuar si një rrjet ekologjik që lidh peizazhet natyrore dhe kulturore me vlerë të lartë, duke respektuar nevojat ekonomike, sociale dhe kulturore të komuniteteve vendore”. Dhe, në të vërtetë, përmes organizimeve të tilla, shumëllojshmëria e aktiviteteve ishte një fuqizim emancipues i banorëve vendorë dhe i pjesëmarrësve të tjerë. Sepse, ndarja e njohurive me të tjerët dhe bashkëpunimi i organizatave që në fokus kanë mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, si dhe edukimin shëndetësor dhe ekologjik, përmes aktiviteteve fizike dhe edukuese, kontribuon në vetëdijesimin e banorëve që bashkëjetojnë me ambientin që përmban këto kushte dhe potenciale të jashtëzakonshme kulturore-natyrore.” @krajakorab #egbdays2024